Në Shqipëri protestat përmblidhen jo prej kauzave por prej stinëve, hera-herës ndoshta edhe tekave – po ashtu sezonale.
Asnjëherë nuk lipsen prej tejmbushjes, zbrazjes, nevojës, pamundësisë, dobësisë, të dobëtit..atij që nuk i ndjehet ekzistenca as prej së afërmi e aq më tepër së largu.
Opozita shqiptare mbështet si krahasim shembullor secilën kauzë kundër qeverisë aktuale.
Madje po të ishte qeveria do të kundërshtonte dhe veten me bindjen e të vërtetës se “populli dhe masa është e mira e përbashkët”.
Kjo, pa menduar asnjëherë se bojkoti mund të mos jetë gjithmonë politik, por ngahera ekonomik, social ndoshta edhe kulturor.
Ndoshta për këtë të fundit duhet kultivuar fryma më së pari në Shqipëri fillimisht.
Por, protesta e pedagogëve nuk lidhet me asnjërën prej tyre.
Ajo vjen fill pas protestës së arsimtarëve në Kosovë, të cilët kërkonin të njëjtën gjë por në mënyra krejt të ndryshme.
Të paktën, bojkoti aty i përfshinte të gjithë.
Në Shqipëri është e zakontë që të vritet shpresa e të menduarit ndryshe, ose të jetuarit në mënyrë kritike.
Kësisoj, protesta nuk vjen asnjëherë nga mendja e zbrazur e “të pakënaqurve” por nga xhepat e grisur e “të pangopurve”.
Kjo i destinon fatkeqësisht demonstratat e mërzitisë dhe kundërshtive që të “vriten” pa nisur ende.
Jo vetëm fjala “protestë” është e stërthënë por ka humbur vlerën e vetvetes.
Shqiptarët nuk protestojnë më kundër qeverisë, por kundër epsheve dhe dëshirave të “kultit të individit”.
Unë më mirë se ty, është lajm i mirë për mua. Ti më mirë se mua, është një arsye për të protestuar.
Gjithmonë, njeriu është i pavlerë kur protesta është vetëm fjalë, fjalë, fjalë…