Masivet pyjore të Peshtanit dhe Kreshpanit në Fier edhe mëngjesin e kësaj të mërkure vijojnë të jenë nën pushtetin e flakëve. Një vatër e cila ka qëndruar aktive përgjatë gjithë natës, në mesnatë është përhapur duke rrezikuar edhe banesat në Kraps por falë ndërhyrjes së shpejtë të mjeteve zjarrfikëse është neutralizuar.
6 mjete zjarrfikëse dhe 80 forca ushtrie ndodhen në terren për neutralizimin e flakëve. Në ndihmë të tyre ka mbërritur edhe helikopteri ‘Cougar’. Era favorizon përhapjen e flakëve dhe riaktivizimin e vatrave të zjarrit.
Zjarri në zonën e Peshtanit ka nxjerrë në rrugë municion luftarak. Fare pranë rrugës Fier- Cakran është gjetur edhe një kuti e mbushur me fishekë kallashnikov. Nuk dihet se cilës periudhë i përkasin por mendohet që janë fshehur në këtë zonë nga trazirat e vitit 1997. Shpërthimi i fishekëve është dëgjuar edhe një ditë më parë. Nuk dihet nëse ka të tjera municione në këtë zonë edhe të kalibrit më të madh, ndërkohë që situata nga zjarret vazhdon të jetë në alert.