Vendet e Evropës Lindore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga uraniumi rus, duke kërkuar një furnizues të ri nga viti 2025 dhe Kazakistani është ndër opsionet e mundshme.
Drejtori i kompanisë kombëtare bërthamore Kazatomprom, Jeržan Mukanov, tha se pasiguria gjeopolitike po ndryshon rrjedhën e karburantit bërthamor dhe se vendi po i përshtatet asaj, transmeton Bloomberg.
“Ne jemi duke përgatitur stoqet tona të prodhimit në mënyrë që të mund të plotësojmë kërkesat e tregut”, tha ai.
Kazakistani, i cili prodhon më shumë se 40 për qind të uraniumit në botë, planifikon të mbajë prodhimin në rreth 22,000 tonë këtë vit.
“Ne parashikojmë një rritje të kërkesës për uranium, por ne nuk jemi të interesuar për rritjen shpërthyese të çmimeve”, tha Mukanov.
Ai shtoi se kërkesa nga Kina po rritet, për shkak të termocentraleve të reja bërthamore të planifikuara dhe se kinezët presin furnizime të vazhdueshme afatgjatë.
Kazatomprom planifikon të hapë një rrugë të tretë eksporti këtë vit, dmth dërgimin e uraniumit përmes një prej porteve kineze, tha Mukanov.
Miniera aktualisht dërgon karburant bërthamor përmes Rusisë dhe Detit Kaspik në Detin e Zi.
Bloomberg vëren se SHBA-ja gjithashtu dëshiron të zvogëlojë varësinë e saj ndaj uraniumit të pasuruar nga Rusia, furnizuesi më i madh në botë i karburantit bërthamor, por deri më tani pa ndonjë efekt.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Rusia ka arritur të rrisë ndjeshëm eksportet e këtij produkti energjetik, duke rritur të ardhurat e Kremlinit dhe duke konsoliduar ndikimin e saj në një brez të ri blerësish globalë.
Kërkesa për uranium pritet të rritet me një të tretën deri në vitin 2030, tha Shoqata Botërore Bërthamore vitin e kaluar, duke vënë në dukje një rritje të parashikuar prej 16 për qind në kapacitetin e reaktorit.