Inflacioni i matur me metodën e Eurostat rezulton të jetë më i lartë se inflacioni i matur nga Instat. Për muajin maj, inflacioni i matur nga Eurostat është 5.6%, ndërsa ai i matur nga nga Instat për të njejtën periudhë, rezulton të jetë 4.7%.
Ndikimin kryesor në rritjen e çmimeve me 5.6% në Maj e ka dhënë grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 3.6 pikë përqindje, si dhe grupi “Hotele, kafene, restorante” dhe “Argëtim dhe kulturë” me rreth 0.6 pikë përqindje secila.
Rritja më e madhe e çmimeve, prej 10.6% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, ndjekur nga “Argëtim dhe kulturë” me 8.0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4.4%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.2%, “Veshje dhe këpucë” me 4.1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.9%, “Shëndeti” me 2.6%, “Shërbimi arsimor” me 2.5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.4%, si dhe “Komunikimi” me 1.1%. Nga krahu tjetër, në rënie rezultojnë çmimet e grupit “Transporti” me -4.7 %.
Sipas shifrave, çmimet në muajin Maj kanë rënë shumë pak me 0.2% krahasuar me Prillin.