Ernest Muçi shënoi golin e vetëm kuqezi në fundjavën që lamë pas. Sulmuesi 22-vjeçar ishte ndër më të mirët në fushën e lojës për Beshiktash, gjithsesi nuk arriti për të shmangur humbjen e gjigantit turk 1-2 ndaj Antaljaspor. Muçi realizoi në fillimin e pjesës së dytë golin që ngushtoi rezultatin, duke përkthyer në gol një aksion të ish-lojtarit të kombëtares shqiptare, Milot Rashica.
Për futbollistin e dalë nga akademia e Tiranës ky ishte goli i dytë me fanellën e Beshiktash, ku duket se ka gjetur veten, duke arritur të jetë edhe vendimtar me golat. Forma e mirë pritet ta ndihmojë për të qenë protagonist edhe me kombëtaren shqiptare, ku tashmë gjendet në urdhrat e teknikut, Sylvinho për dy miqësoret e luksit, atë të 22 marsit ndaj Kilit në Tardini të Italisë dhe të 25 marsit përballë Suedisë në Stokholm.
Lajme aspak të mira nga reparti i portës, ku asnjëri prej futbollistëve në dispozicion të Sylvinhos nuk është preferuar të hidhet në fushë. Etrit Berisha, Tomas Strakosha dhe Elhan Kastrati ndoqën përballjet e skuadrave respektive nga stoli. Në repartin e mbrojtjes, vetëm Jon Mersinaj e Ivan Balliu morën minuta të plota, teksa në stol qëndruan Elseid Hysaj dhe Marash Kumbulla.
Ylber Ramadani ishte një prej iniciatorëve të fitores së Lecce në fushën e Salernitanas, për të qenë ndër më të mirët. Edhe në sulm përpos risisë së këtij grumbullimi, Arbër Hoxha, Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni, të tjerët nuk arritën që të kishin minuta, të cilat shpresojnë t’i marrin me ngjyrat kuqezi.