Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe u shfaq dje pranë flakëve dhe tymit, në një zonë të Divjakës. Sipas tij, ajo që ndodhi me zjarret ishte e qëllimtë dhe kriminale. Ai falënderoi banoret dhe zjarrfikëset për ndihën që kanë dhënë, por nuk e la me kaq.
Braçe lëshoi kritika për Policinë, duke thënë se asnjë prej tyre nuk dukej për të ndihmua banorët dhe zjarrfikësit.
“Pavarësisht se nuk e shoh fare këtë shefin e policisë këtu, me thënë të drejtën nuk po shoh asnjë polic këtu, shpresoj shumë të jenë duke u marrë me ata që i kanë vënë zjarrin Divjakës sot. Në rast se nuk po e bëjnë as këtë, pastaj kemi punë tjetër. Se me thënë të drejtën këtë situatën që shikoni këtu, nuk kam për tja fal kujt”, u shpreh Braçe, në një mesazh që tingëlloi si kërcënim.
Një ditë më pas, policia njoftoi se një 60-vjeçar nga Divjaka u arrestua si shkaktar i djegies së mbi 100 hektarë tokë me bimësi të ndryshme dhe ullinj. Policia tha se “K. T., 60 vjeç, banues në Biçukas, Divjakë, në fshatin Biçukas, dyshohet se duke djegur barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur deri në fshatrat Shën e Premte dhe Germenj, ku për pasojë janë djegur qindra rrënjë ullinj, një sipërfaqe madhe toke me shkurre dhe pemë frutore, si edhe janë rrezikuar banesat e banorëve të këtyre fshatrave”.