Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se një amendament kushtetues që partia e tij do të paraqesë në parlamentin e Turqisë do të mbrojë familjet nga ato që ai i quajti “prirje perverse”, që duket se synojnë ligjet globale për martesat e të njëjtit seks.
Partia AK (AKP) e Erdoganit po përgatitet të paraqesë amendamentet kushtetuese në ditët në vijim, të cilat do të garantojnë gjithashtu të drejtat civile për gratë që mbajnë shami.
Duke folur me udhëheqësit fetarë islamikë, Erdogan kritikoi atë që ai tha se ishte një prirje globale e humbjes së kuptimit të njësisë familjare.
Erdogan dhe ligjvënësit e AKP-së e kanë ashpërsuar retorikën e tyre kundër komunitetit LGBT në vitet e fundit, duke i etiketuar shpesh anëtarët “devijant” ose “pervers”.
Ai tha se synon “të mbrojë strukturën e familjes nga kërcënimet në rritje nga tendencat perverse”.
Homoseksualiteti nuk është krim në Turqi, por armiqësia ndaj tij është e përhapur.
Vendi dikur shihej si një strehë e sigurt për komunitetin LGBT në Lindjen e Mesme dhe Stambolli ishte skena e marshimeve të mëdha të Krenarisë, me dhjetëra mijëra të pranishëm.
Por marshimet janë ndaluar në mënyrë efektive që nga viti 2015.