Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi gjatë javës nisjen e gazit nga fushat e Detit të Zi në sistemin energjetik të vendit dhe premtoi t’u sigurojë familjeve karburant blu falas përpara zgjedhjeve të 14 majit.
Kjo është bërë e ditur nga agjencia Reuters.
Ceremonia ishte një nga përpjekjet më të fundit të qeverisë për të shfaqur projektet e mëdha të energjisë dhe infrastrukturës përpara zgjedhjeve që sondazhet sugjerojnë se Erdogan ka gjasa t’i humbasë.
“Ne do të ofrojmë gaz natyror falas për konsum familjar deri në 25 metra kub në muaj për një vit”, tha Erdogan në hapjen e një porti gazi në tokë në provincën veriore të Zonguldak.
Gazi natyror i pakufizuar për të gjitha familjet do të jetë falas për muajin e ardhshëm, shtoi Erdogan.
Gazi natyror u zbulua për herë të parë në fushën Sakarya në brigjet e Zonguldak në vitin 2020, dhe vitin e kaluar në fushën aty pranë Kaikuma-1.
Turqia, e cila ka rezerva të vogla nafte dhe gazi, varet shumë nga importet e gazit nga Rusia, Azerbajxhani dhe Irani, si dhe nga importet e gazit natyror të lëngshëm nga Katari, Shtetet e Bashkuara, Nigeria dhe Algjeria.
Prodhimi vendas i gazit natyror, kryesisht në rajonin e Trakës, përbënte më pak se 1% të konsumit kombëtar të Turqisë prej 60 miliardë metra kub në vitin 2021, sipas rregullatorit të energjisë EPDK.
Sipas Erdogan, fushat e gazit të Turqisë në Detin e Zi do të prodhojnë fillimisht 10 milionë metra kub gaz në ditë. Në të ardhmen e afërt, prodhimi do të rritet në 40 milionë metër kub gaz në ditë.
“Kur të arrijmë kapacitetin e plotë, do të jemi në gjendje të plotësojmë afërsisht 30% të konsumit të brendshëm në vit”, tha ai.
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë sfida më e madhe elektorale për Erdoganin, i cili ka qenë në detyrë për kohën më të gjatë në mesin e liderëve modernë turq.
Në prag të votimit, qeveria turke nisi një sërë projektesh të mëdha të infrastrukturës dhe mbrojtjes.
Javën e ardhshme, Erdogan do të hapë reaktorin e parë bërthamor në Turqi, të ndërtuar nga kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom.