Viti 2023 mund të cilësohet si një vit i mirë hidrik ku prodhimi neto vendas arriti rreth 8.8 milionë MWh energji thuajse 11 për qind më shumë sesa konsumi i energjisë. Mbi 58 për qind e këtij prodhimi u sigurua nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare(KESH).
I ngarkuar me detyrën e sigurimit të energjisë përmes prodhimit por edhe blerjes në treg të lirë KESH gjatë vitit 2023 bleu të paktën 561 mijë Mwh. Në total sasia e prodhimit dhe blerjes që KESH i kaloi Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) ishte sa rreth 50 për qind e konsumit total në vend.
Diferencën e nevojshme të konsumit në vend Furnizuesi i Tregut të Lirë(pjesë e OSHEE Group) e siguroi nga disa segmente ku së pari nga Selita, më pas një pjesë nga prodhuesit me përparësi të energjisë të lidhura në rrjetin e OSSH, një pjesë tjetër nga prodhuesit me përparësi në rrjetin e OST, një sasi nga Ashta dhe në fund edhe nga tregu i lirë. Në total FTL ka blerë 3.17 milionë MWh energji ku më pak se gjysma ka shkuar për të mbuluar humbjet në rrjet.
Gjatë vitit të shkuar zunë vend edhe disa procedura shkëmbimi të energjisë apo depozitimi me Kosovën ku sipas të dhënave të raportuara nga kompanitë KESH ka dhënë ndaj KEK 1.79 milionë MWh energji.
Prodhuesit e pavarur të energjisë që janë investime të mëdha në HEC-e mbi 15 MW me kontrata koncesionare që parashikojnë shitjen e energjisë në tregun e lirë gjatë vitit të shkuar kanë prodhuar 1.2 milionë MWh energji apo sa 13.7 për qind e prodhimit neto vendas. Bëhet fjalë për HEC-et e ndërtuara nga Devoll HydropoWer, Ayen Enerji, HEC-et e Kurum të cilat bleu dikur nga qeveria shqiptare.
Viti 2023 përgjithësisht ishte një vit më i relaksuar sa i takon krizës së energjisë ku çmimet pësuan ulje të ndjeshme në raport me vitin 2022. Kjo situatë bëri që qeveria në fund të vitit të shkuar të përfundonte edhe gjendjen e emergjencës të cilën e vendosi në nisje të krizës në nëntor 2021.
Prodhimi i energjisë në vend vijon të mbetet i fokusuar tek hidro duke e bërë vendin të cenueshëm në vitet jo të mira hidrike. Kriza që nisi në vitin 2021 i dha një nxitje projekteve në energjinë diellore por ende arritja e një shkalle diversifikimi që jep garanton siguri energjetike mbetet larg./Monitor