Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari i ka bërë thirrje SPAK-ut të hetojë veprimtarinë e kreut të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Sipas Braimllarit, në Bashkinë e Kuçovës ka ndodhur një masakër e vërtetë elektorale, e cila ka filluar para ditës së zgjedhjeve, ekzekutuar më 14 maj me një ndërhyrje të shtetit, grupeve kriminale, oligarkëve pranë qeverisë dhe është zbatuar në mënyrë perfekte ky plan edhe nga KAS.
Ai tha në 1254 raste ka pasur votim në grup dhe qytetarë që kanë votuar nga dy herë; në kutitë e 18 qendrave të votimit, mungojnë procesverbalet origjinale dhe nuk ekziston procesverbali i dorëzimit të materialeve zgjedhore; në 7 qendra votimi nuk kanë qenë në funksion kamerat e sigurisë që shërbejnë për verifikimin e procesit dhe në 2 raste ka rezultuar se është përdorur skema e “Trenit Bullgar”.
Braimllari ngriti shqetësimin se edhe pas të gjitha këtyre denoncimeve të bëra publike nuk ka asnjë reagim të prokurorisë apo institucioneve të tjera.