Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mëngjesin e sotëm na autostradën Milot-Thumanë, pranë Laçit. Mësohet se është qëlluar në drejtim të një personi, ndërsa ka mbetur i plagosur Besim Zeneli, i cili është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjara mësohet se ka ndodhur pranë një dyqani fruta perime, në autostradën në Laç. Bëhet me dije se policia ka shoqëruar disa persona. Besim Zeneli nga fshati Shullaz i Kurbinit ishte pranë dyqanit të tij që ndodhet në autostradë në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Njoftimi i Policisë:
Kurbin / Informacion paraprak. Rreth orës 00:25, gjatë kohës që shtetasi B. Z. 60 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, ka qenë në biznesin e tij (dyqan fruta-perimesh) që ndodhet në anë të rrugës, në autostradën Laç – Lezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Për pasojë, shtetasi B. Z. ka marrë plagë në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor. Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe vlerësuar çdo informacion, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 3 persona, mes tyre dhe autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të dyshuar. Për momentin nuk bëjmë me dije identitetin e personave të shoqëruar, për shkak të vijimit të hetimeve dhe ruajtjes së sekretit hetimor.