Ekstradohet bosi turk i kriptomonedhave Faruk Fatih Ozer. 28-vjeçari u nis në orët e para të mëngjesit nga Tirana dhe mbërriti në aeroportin e Stambollit me avion privat. Ozer iu nënshtrua fillimisht kontrolleve mjekësore dhe më pas u mor nga forcat e shumta policore për të dhënë dëshminë e tij për autoritetet turke. Gjykata e Lartë në vendin tonë vendosi të pranojë kërkesën e ministrisë turke të drejtësisë për ekstradimin e të riut i cili u vu në pranga në jug të Shqipërisë në 30 gusht të vitit të kaluar.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzën e mashtrimit të rreth 400 mijë personave përmes kompanisë së tij të kriptovalutave Thodex. Ozer ka përfituar 2 miliardë dollarë përmes mashtrimit dhe në prill të vitit 2021 u arratis drejt Tiranës. Bashkë me Faruk Fatih Ozer janë arrestuar edhe 20 persona të tjerë, shumica e tyre të afërm të 28-vjeçarit ndërsa prokuroria e Stambollit kërkon për ta më shumë se 4500 vite burg në total.