Dy persona kanë vdekur sot pas një shpërthimi në një fermë, në fshatin polak Przewodów, pranë kufirit me Ukrainën e shkatërruar nga lufta, por shkaku i shpërthimit është ende i paqartë, njoftoi Brigada e Zjarrfikësve.
Në median polake qarkullojnë pretendime të pakonfirmuara se shkaku i shpërthimit ishin dy raketa ruse të humbura që kaluan në Poloni nga Ukraina.
Orët e fundit kanë qarkulluar në rrjetet sociale pamje që tregojnë fragmente nga raketat në vendin e incidentit që ndodhi në Poloni. Dy persona humbën jetën.
BBC thotë se nuk ka qenë ende në gjendje t’i verifikojë këto foto. Ajo ka folur me 3 ekspertë të mbrojtjes ushtarake për atë që tregojnë pamjet.
Mark Cancian është njëri prej tyre. Ai thotë se raketat mund të jenë nga një sistem S-300. Ky lloj rakete zakonisht përdoret për sulme tokë-ajër dhe është përdorur si nga Rusia edhe nga Ukraina gjatë gjithë luftës.
“Kush e hodhi raketën është e paqartë”, thotë J. Andrés Gannon, një ekspert i sigurisë në Këshillin e SHBA për Marrëdhëniet me Jashtë. Edhe ai pajtohet se ajo mund të jetë nga një sistem S-300.
“Ne e dimë se Rusia ka përdorur S-300 për sulme tokësore edhe pse është një sistem i mbrojtjes ajrore. Por edhe Ukraina i përdor ato gjithashtu për mbrojtjen ajrore kundër raketave”, shton ai.
Po ashtu edhe Dr. Justin Bronck, një bashkëpunëtor i lartë në grupin e ekspertëve pajtohet se raketa mund të jetë e sistemit S-300. Ai thotë se ende nuk ka prova të mjaftueshme për ta identifikuar atë.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg shkroi në Tëitter se ka folur me presidentin polak Andrzej Duda për incidentin.
“Unë ofrova ngushëllimet e mia për humbjen e jetëve. NATO po monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen” – thotë ai. Ndërsa Presidenti i SHBA, Joe Biden është informuar për raportet që vijnë nga Polonia. Zyrtarët thanë se ai ka folur flet me presidentin polak, Andrzej Duda.