Mediat italiane shkruajnë se një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Rodenga të Breshias, ku brenda një makine Range Rover është gjetur i djegur trupi i një personi. Trupi u gjet në bagazhin e makinës, ndërsa viktima është një burrë rreth 40 vjeç me shtetësi të Kosovës.
Mediat italiane ngrenë dyshime se burri mund të jetë vrarë diku tjetër dhe më pas trupi i tij është djegur brenda automjetit Range Rover. Vrasja dyshohet se është bërë me armë zjarri e më pas trupi është djegur. Fouristrada rezulton në pronësi të një tjetër shtetasi të Kosovës, një 34-vjeçari me banim në Rovato e dyshohet se ai e njihte viktimën.
Hetimet
Mësohet se 40-vjeçarit të gjetur të vdekur i është bërë autopsia. Rezultatet e autopsisë do të zbulojnë edhe më saktë atë që ndodhi me viktimën, nëse ai u vra menjëherë me armë zjarri apo nëse i është vënë flaka kur ishte ende gjallë.
Viktima rezulton se ka qenë person problematik, i skeduar për trafik droge dhe trafik të armëve. Autoritetet italiane kanë dyshime se vrasja mund të jetë kryer nga profesionistë ose anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal. Për rastin është hapur dosje për veprën penale të vrasjes me dashje.
Si u gjet makina e braktisur?
Makina e djegur u gjet herët pasditen e së hënës në një fshat periferik të Breshias. Agjentët e policisë ndërkomunale lokale të Palazzolo-s dhe Erbusco-s dhanë alarmin: trupi u gjet (në bagazh) kur mbërriti Brigada e Zjarrfikësve.
Në vendngjarje arritën karabinierët, por edhe anëtarët nga Seksioni i Hetimeve Shkencore. Range Rover do të ishte pikasur nga kamerat për herë të fundit në mëngjesin e së hënës rreth orës 10:00, në territorin e Capriolos.