Sa herë data shënon 21 janar, mazhoranca aktuale i kumbon prej dy vitesh drejtësisë së re – pra SPAK-ut – për katër vrasjet e protestuesve në trotuarin e Kryeministrisë, të cilave ia faturon ish-kryeministrit Sali Berisha.
Të njëjtën gjë si vitin e kaluar e kërkoi dhe këtë vit Partia Socialiste me përfaqësuesit e saj.
Prokuroria e Posaçme, sipas tyre, duhet të nisë hetimet për dosjen e 21 janarit lidhur me zbulimin e fakteve të reja nga gazetari investigativ Artan Hoxha në emisionin “Xhungël”.
Por gjurmët që kërkojnë Socialistët janë shkelur më herët nga drejtësia dhe institucionet gjyqësore dhe ata shohin vetëm dy dritare si mundësi për rihapjen e dosjes hetimore.
E para lidhet me shpalljen e moskompetencës së Prokurorisë së Tiranës për dosjen e vrasjes së Aleks Nikës dhe kalimin e kësaj dosje tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbetet për t’u njohur përgjigja e Prokurorisë së Tiranës në këtë rast.
E dyta lidhet me hapjen e hetimeve të SPAK-ut për faktet e reja të publikuara më 20 janar.
Pra, vlerësimin nëse është provë autentike apo jo, e bën Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kujtojmë që dosja hetimore e 21 janarit i kaloi të treja hallkat e sistemit gjyqësor duke përfunduar në vitin 2016 tërësisht hetimet me verdiktin e Gjykatës së Lartë.
Një fakt interesant lidhet me periudhën kur çështja gjendej në Gjykatën e Apelit që provon paradoksin e kërkesës së Socialistëve në hapësirat që ia njeh ligji dhe Kushtetuta.
Më 17 shtator të vitit 2013 në Apel zhvillohej gjyqi për “21 janarin”.
Kryesuesi i këtij gjyqi ishte Agim Bendo, ndërsa prokurorë ishin Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani.
Ky i fundit drejton sot Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ajo që po përpiqen Socialistët të arrijnë është nisja e hetimeve për vrasjen e protestuesit Aleks Nika, e cila është një dosje penale pa autor, sipas tyre.
Më 20 janar të vitit 2021, Policia e Shtetit i kërkoi Prokurorisë së Tiranës, urdhrin e Prokurorit për kryerjen e ri-ekspertizës së vrasjes së Aleks Nikës.
Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.
Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.
Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.
Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.
Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.