Floresha Rasha një prej grave që u riatdhesua nga kampi ‘Al Ho’l në Siri ka pranuar të bashkëpunojë me SPAK. Lajmi është bërë i ditur për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Klodiana Lala, sipas së cilës, Rasha ka rrëfyer mënyrën sesi i rekrutuan shtetasit shqiptar për t’iu bashkuar ISIS.
Kush është Floresha Rasha?
Floresha Rasha shkoi në Siri 6 muaj pas bashkëshortit të saj Diamant Rasha, i cili iu bashkua ISIS dhe më pas u vra duke e lënë të vetme gruan me djalin Amarin dhe vajzën adoleshente. Më pas ajo u martua me Lavdërim Muhaxherin, i njohur si “Kasapi i Kaçanikut”.
Kryeterroristi shqiptar i ISIS u vra me dron nga forcat amerikane në 2017. Përgjatë tri viteve martese me Muhaxherrin, Floresha solli në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Fati deshi që djali të mos jetonte, sepse lindi me probleme dhe ndërroi jetë shpejt.
Pas vrasjes së Lavdërimit, Floresha u martua sërish. Këtë herë me një luftëtar sirian. Solli në jetë një tjetër vajzë. Nuk mbaron me kaq. Jeta i rezervoi një dramë të rëndë gruas. Në rrethimin e Bagusit, asaj i vritet burri i tretë dhe vajza e madhe, të cilën e kishte me Diamant Rashën ndërsa Floresha mbeti e plagosur rëndë.
Vajzën e sapolindur ia rritën “motrat”. Më 27 tetor të 2020-s Floresha dhe 3 fëmijët e saj prekën tokën shqiptare. Ajo është marrë disa herë në pyetje, ndërsa është hetuar nëse ka qenë e përfshirë për 7 vite në Al-Hol në akte terrori apo jo. Ndërkohë, që ajo kishte dhe plagë në trup, ndërsa kur mbërriti në atdhe u transportua me barrelë.