Arsen Muskurti autori i dyshuar i vrasjes së vëllait të tij Dritanit dhe kunatës Nora Muskurti, ka rrëfyer për hetuesit debatin që pati me ta përpara se t’i qëllonte për vdekje me 7 plumba pistolete. 38-vjeçari që ndodhet nën masën e ‘arrestit me burg’ ka shpjeguar para hetuesve se kishte një marrëdhënie të tensionuar më të vëllain, prej vitit 2017.
“Me Dritanin dhe Nora Muskurtin kam patur problematika te vazhdueshme prej vitit 2017, për shkak se ai ka qenë një person që nuk pranonte kërkesë llogarie, dhe shpesh ishte kërcënues ndaj meje. Për këtë shkak unë kam bërë edhe kallëzim në komisariat”, shpjegon autori i dyshuar. Hetuesit janë duke i marrë me rezerva deklarimet e tij, derisa përmes dëshmive dhe provave të tjera t’i sqarojnë ato.
Megjithatë, dëshmia e autorit është e rëndësishme për të hedhur dritë mbi motivin e krimit, përderisa përmes saj, hetuesit arrijnë të kuptojnë natyrën e konflikteve brenda familjes. Për këtë shkak, Arsen Muskurtit i janë marrë shpjegime të detajuara për ditën e ngjarjes.
Ai ka shpjeguar se atë ditë i kishte mbërritur një fletëthirrje nga gjykata, pasi i vëllai Dritani kishte kërkuar urdhër mbrojtje prej tij. I dyshuari pretendon se krahas kësaj me vëllain ishin në proces gjyqësor edhe për një shumë të konsiderueshme parash, ku thotë se kishin kërkuar ekspertim të firmës, duke pretenduar se ia kishin falsifikuar.
“Duke u mbledhur në të gjitha këto probleme, pësova tronditje. Mora armën dhe shkova në agjenci për t’u sqaruar. Sapo kam hyrë i kam drejtuar armën dhe I thashë: “Pse më shantazhon mua, fëmijët e mi, nënën dhe babën. Ai mu përgjigj me fjalët “du me e bë”. Atëherë kam qëlluar me armë drejt Dritanit dhe nuk di c’kam bërë me tej. Jam larguar për tek dyqani im që e kam aty pranë dhe kam futur armën në kasafortë. Më pas kam shkuar në shtëpinë time në Rrugën ‘5 Maji’. Jam ndërruar dhe kam thirrur avokatin tim. Rrobat e krimit i kam hedhur në një kazan plehrash”, ka shpjeguar Arsen Muskurti, raporton BalkanWeb. Në dosjen thuhet se mbi bazën e dëshmisë së tij, oficerët shkuan në biznesin e autorit të dyshuar dhe hapën kasafortën, aty ku gjetën dhe sekuestruan armën e krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16.40 minuta të datës 30 gusht në ambientet e agjencisë së udhëtimeve Nour Tours. Arsen Muskurti qëlloi për vdekje me 7 plumba pistolete vëllain dhe kunatën e tij. Pas krimit tronditës, 38-vjecari futi pistoletën ne trup dhe u largua qetësisht për t’u dorëzuar disa orë më vonë.