Policia e Tiranës ka goditur një rast të përshtatjes së lokaleve për përdorim droge, ndërsa në pranga ka rënë menaxheri dhe një klient i lokalit dhe është shpallur në kërkim pronari.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti të përshtatjes së lokaleve për përdorim droge dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– E. V., 27 vjeç, banues në Tiranë, menaxheri i lokalit, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– A. R., 37 vjeç, banues në Tiranë, klient në lokal, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi I. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer ne bashkëpunim dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. N., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin në rrugën “Sulejman Delvina”, në pronësi të shtetasit I. Ç. dhe me menaxher shtetasin E. V, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të vogla lëndësh të dyshuara narkotike kokainë dhe heroinë, si dhe mjete që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit fizik të shtetasit A. R., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë. Vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për kapjen e shtetasit I. Ç.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.