Zbardhet dosja e SPAK, i cili urdhëroi Policinë e Shtetit dje të ushtronte kontrolle në kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Kontrollet në fjalë sollën reagimin e ashpër të banorëve të këtij kampi, të cilët u përplasën me forcat e rendit, ndërsa 15 efektivë u plagosën, po ashtu edhe nga radhët e muxhahedinëve.
Në dosjen e SPAK thuhet se ka dyshime që nga organizata MEK, të kryheshin sulme kibernetike në drejtim të Republikës Islamike të Iranit.
“Është referuar fakti se dyshohet se nga organizata “MEK” (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit) nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore si dhe drejt disa institucioneve në shtetin iranian. Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK”, – thuhet në vendimin e gjykatës.