Dy ushtarë të Forcave Ajrore belge u arrestuan në zemër të lagjes evropiane të Brukselit për posedim të municioneve në një incident surreal që kaloi kryesisht pa u vënë re të shtunën e kaluar.
Këtë e ka bërë të ditur prokuroria e Brukselit, përcjell Politico.
Dëshmitarët në vendngjarje thanë se arrestimet u kryen pranë selisë së Komisionit Evropian, në një apartament jo larg Café Berlaymont, një vendtakim i preferuar për zyrtarët e Brukselit.
“Dy persona janë privuar nga liria, janë intervistuar nga shërbimet policore dhe pas intervistimit janë liruar”, tha një zëdhënës i prokurorisë, duke konfirmuar raportimet e mëparshme të mediave belge.
Zëdhënësi “nuk ishte në gjendje të konfirmonte origjinën e municionit në fjalë” dhe tha se “një hetim është në vazhdim” për të përcaktuar se nga erdhi ai.
Siç raportohet nga gazeta flamande Het Nieuwsblad, banorët panë dy burra që qëllonin pa dallim nga një dritare e hapur dhe thirrën policinë.
Arma rezulton të jetë pneumatike, siç ka marrë vesh policia. Por pasi kontrolloi ndërtesën, policia gjeti më shumë se 200 gëzhoja “të destinuara për automatikë të përdorur nga trupat belge”.
Në një deklaratë për Politico, ministrja belge e Mbrojtjes, Ludivine Dedonder tha se nuk do të bënte ndonjë “deklaratë specifike” në lidhje me rastin, pasi po hetohej nga ministria e saj dhe shërbimet gjyqësore.
Në vitet e fundit, ushtria belge ka rënë vazhdimisht në skandale për shkak të sjelljes së pahijshme të disa prej tyre ose lidhjeve të tyre me grupet e ekstremit të djathtë.
Vitin e kaluar, militanti i ekstremit të djathtë dhe ushtari belg Juergen Konings u zhduk pasi vodhi armë ushtarake dhe la mesazhe që kërcënonin se do të vriste ekspertë shëndetësorë dhe politikanë, duke nxitur një kërkim prej javësh përpara se të gjendej i vdekur në pyjet e afërta me kufirin holandez.