Kryetari i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, në raportimin që ka bërë të enjten para Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka theksuar se për vitin 2022 ka një rritje të numrit të çështjeve që janë dërguar për gjykim që lidhen me korrupsionin në krahasim me vitin 2021.
Ai ka bërë një bilanc të punës së tij.
“Në lidhje me kërkesat për gjykim, në total Prokuroria e Posaçme ka pasur një rritje të procedimeve penale dërguar për gjykim, nga 43 procedime penale me 239 të pandehur në vitin 2021, në 57 procedime penale me 344 të pandehur në vitin 2022, duke pasur një rritje për një numër çështjesh me rreth 19% dhe për numër të të pandehurve ky tregues rritet me rreth 44%”, tha Dumani.
Në raportimin e tij Dumani tha se, gjatë vitit që lamë pas, është parë që rastet e pastrimit të parave, kanë qenë në rritje, ndërsa po ashtu gjatë 2022 janë regjistruar 12 çështje të reja, të kallëzuara nga juridiksione të huaja.
Mes të tjerash Altin Dumani u shpreh se gjatë hetimeve, përveç përgjimeve telefonike po aplikohen të gjitha mjetet e posaçme të hetimit përfshi dhe agjentët e infiltruar.
Dumani renditi të gjitha institucionet ku SPAK ka akses të drejtpërdrejtë siç janë, Gendja Civie, Kadastra, drejtoria e Burgjeve, regjistri i llogarive Bankare, sistemet e policisë së Shtetit, gjobat, raporte e statistike, apo sistemi TIMS. Sa i takon çështjeve të korrupsionit të nivelit të zyrtarëve të lartë, Dumani tha se me kërkesë të SPAK, “GJKKO gjatë vitit 2022 ka dhënë 4 vendime dënimi me 4 të dënuar për ish zyrtarë të nivelit të lartë”.
Altin Dumani u ndal edhe tek problematika e madhe me zyra që ka ky institucion. Dumani tha se në një zyrë në SPAK rrinë deri në 6 hetues.
“Deri në 6 hetues janë në një zyrë. Në rast se njëri prej tyre duhet të marrë në pyetje një person kolegët e tjerë të zyrës duhet të dalin jashtë për shkak të ruajtjes së sekretit të hetimit. Unë ju kërkoj të ndërhyni me autoritetin që ju jep ligj që të kemi ambiente në nevojshme për ushtrimin efektiv të funksioneve. Është një proces që ka nisur por duhet të shkojë deri në fund”, tha Dumani.