Kreu i SPAK, Altin Dumani ka vënë theksin se Dubai po shndërrohet në një vatër kriminelësh, duke u bërë pengesë për arrestimin e tyre. Në raportimin në Komisionin e Ligjeve, Dumani tha se krimi nga bandat shqiptare është shumë i sofistikuar.
“Kemi vënë re një rritje e sofistikimit të kryerjes së veprave penale. Grupet kriminale të drejtuara nga shqiptarët po konsiderohen nga ndërkombëtarët me një ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare, kryesisht kanabis dhe kokainë, janë aktive në rajon, por edhe BE-ja, Turqi SHBA. Këto kanë qasje të drejtpërdrejtë në vendet e origjinës së kokainës duke krijuar një lidhje të fortë me organizatat kriminale në Amerikën Latine. Shihet një tendencë e lëvizjes së parave në vende jashtë juridiksionit shqiptarë, në parajsa fiskale duke rritur vështirësinë e gjurmimit, ka edhe sisteme informale të dërgimit të parave. Problematik fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Dubai qëndrojnë një numër të madh të kërkuarish për vepra penale krim i organizuar që nuk po jepet një miratim për ekstradimin e tyre. Nisur nga kjo, kemi 28 procedime penale të nisura kryesisht”, tha Dumani.
Duke i kthyer përgjigje deputetes demokrate Dhurata Çupi, Dumani u ndal të fliste edhe për presionet politike. Ai dha garanci se çdo prokuror i SPAK është i pavarur dhe nuk ndikohet nga politika.
“Falë Kuvendit, kemi një kornizë kushtetuese dhe ligjore që na garanton pavarësi të plotë nga politika. Çdo prokuror mund të ushtrojë i pavarur funksionet e tij kushtetuese dhe ligjore. Unë nuk e ndjej dhe as nuk e kam ndjerë presionin e politikës, politika ka punën e vet do të na sulmojë, por në vendimmarrje të mos ndikohemi nga politika, por produkt i një analize të provave”, u shpreh Dumani.