Drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici ka njoftuar ditën e sotme KQZ se nuk do ta pranojë mandatin e deputetit që i është ofruar. Mandati që iu ofrua Bicit, ishte i njëjti që humbi Arben Ahmetaj pasi nuk u paraqit në Kuvend për 6 muaj, kjo pasi ai ndodhet në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve.
Në letrën që Bici i ka dërguar KQZ-së, ka konfirmuar se shkak pse ajo nuk e pranon mandatin, është detyra që ushtron si drejtoreshë e Kadastrës.
Sipas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2021 në qarkun e Tiranës, aty ku Ahmetaj u zgjodh deputet, pas Dallëndyshe Bicit, mandati i kalon juristit Plarent Ndreca, me 4008 vota personale.
Sipas burimeve, është mësuar se Ndreca ka konfirmuar se do ta pranojë mandatin e deputetit, pasi KQZ t’i çojë dokumentin zyrtar.