Mbrëmjen e së enjtes, kreu i grupit mercenar rus “Wagner” pretendoi se kishte siguruar kontrollin e një qyteti lindor të Ukrainës, Soledar, të pasur me miniera kripe.
Mirëpo, kjo është mohuar nga Kievi zyrtar, duke thënë se ishte lajm i vërtetë. Në të njëjtën linjë kësaj here ka qenë edhe Kremlini, që bëri thirrje për kujdes për deklaratat e fitores.
Beteja për Soledarin ishte shumë e ashpër dhe konsiderohet si më e ashpra që prej nisjes së luftës. Siç shihet edhe nga pamjet satelitore të kompanisë amerikane Maxar, qyteti u rrafshua me tokën për shkak të bombardimeve.
Rëndësia e Soledar në aspektin ushtarak është minimale. Megjithatë, kapja e tij do të lejonte forcat ruse, dhe veçanërisht grupin mercenar Wagner , të kthenin fokusin e tyre në Bakhmut, i cili ka qenë një objektiv që nga vera.
Njësitë Wagner morën kontrollin e të gjithë territorit të Soledarit, ndërkohë që pala ukrainase thotë se kundërsulmi është afër dhe se qyteti s’ka rënë. Ushtria ukrainase tha në një deklaratë se “Soledar ishte, është dhe do të mbetet ukrainas”.
Ndërkohë, nga krahu i rusëve është parë një lëvizje e rëndësishme, që nga ushtarakët perëndimorë shihet si dështim i Putinit. Emërimi i Valery Gerasimovit si komandant i trupave ruse në Ukrainë pasqyron humbjet e deritanishme në terren dhe dëshirën e Putinit për të rifilluar operacionet e mëdha sulmuese në Ukrainë në vitin 2023, thonë amerikanët.