Donald Trump postoi një video në Facebook dhe YouTube të premten për herë të parë që nga pezullimi i tij në 2021.
Gjigandi i rrjeteve sociale Meta njoftoi në fund të janarit se do të riaktivizonte llogaritë e ish-presidentit amerikan në Facebook dhe Instagram, dy vjet pas përjashtimit të tij.
“U ktheva!” , shkroi ish-presidenti republikan, i cili kërkon një mandat të dytë në vitin 2024.
Në një video të shkurtër dhe të vjetër, ai thotë: “Më falni që ju mbajta në pritje, ishte e ndërlikuar”.
Republikani ishte përjashtuar nga rrjeti social në janar 2021, ndërsa ai ishte ende në pushtet, për inkurajimin e mbështetësve të tij gjatë sulmit ndaj Kongresit në Uashington.
Ky vendim i paprecedentë u imitua në atë kohë nga shumica e rrjeteve sociale kryesore, duke përfshirë Twitter, Facebook dhe Instagram.
Postimi i tij u prit me qindra komente, duke përfshirë disa “Gëzohem që të shoh përsëri” dhe “Çfarë lehtësimi që të kam mbështetur zoti President”.
Më herët të premten, platforma e videove në internet YouTube njoftoi se po i jepte fund pezullimit.
“Që nga sot, kanali ‘Donald J. Trump’ nuk i nënshtrohet më kufizimeve”, tha gjiganti amerikan në Twitter.
Për të justifikuar vendimin e tij, YouTube tha të premten se kishte vlerësuar “rrezikun e dhunës”, duke marrë parasysh rëndësinë për votuesit që të dëgjojnë “njëlloj kandidatët kryesorë kombëtarë”.
Donald Trump tashmë ishte ri-pranuar në Twitter, Facebook dhe Instagram muajt e fundit.
Deri më tani, ai komunikonte kryesisht përmes platformës së tij, Truth Social.