14 Marsi shënon Ditën e Verës, një festë e veçantë për të gjithë shqiptarët. Kjo ditë festohet në të gjithë vendin por kryeqendra është qyteti i Elbasanit, ku ka një traditë të hershme. Në Elbasan, festimet kanë filluar që nga dita e djeshme ku qindra qytetarë u mblodhën në qendër të qytetit për të ndjekur koncertin e organizuar nga bashkia dhe për të ndarë momentet festive mes tyre, duke ndjekur këngët dhe vallet e zonës. Festimet kulmojnë sot ku qyteti i Elbasanit popullohet edhe nga mjaft vizitorë të ardhur nga zonat e tjera të vendit që dëshirojnë të kalojnë ditën e verës në qendrën e festimeve.
Tradita e kësaj feste pagane, ballokumja dhe kuzhina vendase janë ato që tërheqin vizitorët.
Prej disa vitesh është bërë traditë që Dita e Verës festohet në mënyrë të organizuar edhe në Tiranë. Mbi 100 aktivitete festive do të zhvillohen në kryeqytet me rastin e Ditës së Verës. Aktivitetet muzikore, argëtuese dhe sportive do të jenë në zona të ndryshme të Tiranës.
Prej orës 9 të mëngjesit aktivitetet e shumta sportive do të zhvillohen tek Sheshi “Nënë Tereza” dhe tek Parku I Liqenit Artificial.
Gjithashtu tek Sheshi “Skënderbej” do të mbahet koncerti i madh festiv me ansamblin e këngëve e valleve dhe me performancat e artistëve më të njohur.
Për mbarëvajtjen e aktiviteteve të Ditës së Verës, prej ditës së djeshme ka nisur kufizimi I pjesshëm I qarkullimit të automjeteve tek sheshi “Nënë Tereza”, ndërsa sot do të ketë bllokim të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët lidhëse me të.