Drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë zyrtarizuar ndryshimet në komisariatin e Krujës pas mosveprimit të tyre në incidentin e ndodhur më datë 6 korrik, ku pjesëtarë të fisit Rraja kanë dhunuar dy anëtarë të fisit Maja që ankoheshin për shkatërrimin që u vinte shtëpive të tyre nga një gurore.
Dhunimi i dy kushërinjve Bilbil e Jashar Maja është bërë shkak për shkarkimin e tre drejtuesve kryesorë të komisariatit të Krujës. Komisar Elton Shahini është liruar nga detyra si Shefi i Komisariati dhe në vend të tij është emëruar Komisar Kreshnik Alimadhi. Zv.shefi i komisariatit, Ajet Bega është liruar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar nënkomisar Sadik Topuzi. Shefit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme, nënkomisar Anri Nazaj është liruar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Nënkomisar Dashamir Ilamaj.
Gjithashtu është vendosur edhe transferimi i menjëhershëm i 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme.