Detaje të reja kanë dalë në dritë rreth klinikës së Roland Xhaxhos dhe të bijës, Ina Xhaxho, të cilët në 28 shtator të 2023 morën përsipër një ndërhyrje kirurgjikale në 14 dhëmbë të 3-vjecarit Brian Spahiu, duke i shkaktuar atij vdekjen.
Babai i 3-vjecarit, i cili humbi jetën 3 ditë pas operacionit, arriti të zbulonte se klinika e doktoreshë Ina Xhaxhos nuk ishte e pajisur me licencë për shërbime stomatologjike gjatë periudhës kur realizoi ndërhyrjen e të birit. Në fakt, Xhaxho aplikoi për licencë me 13 tetor, 2 javë pasi Brian ndërroi jetë.
Në po atë datë, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor kishte shkuar në klinikë për inspektim dhe i vendosi masë administrative, e cila u la në fuqi deri më 11 dhjetor 2023, por Ina Xhaxho e ankimoi.
Të afërmit e të voglit kanë kërkuar përjashtimin nga hetimi i vdekjes së Brianit, të prokurores Alma Felaj, pasi nuk ka vepruar megjithëse klinika Splendent ishte pa licencë kur 3-vjecari bëri kontrolle dhe ndërhyrje.
Ina Xhaxho bëri 4 kërkesa rresht për licencë të cilat iu refuzuan me argumentin se nuk përmbushte kriteret e licencimit, por më pas licenca iu lëshua me datë 31 tetor.
‘Në bazë të urdhrit nr. 632 dt. 101.10.2023 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për ngritjen e grupit për verifikimin e përmbushjes së standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në Klinikën “Splendent”, u krye inspektimi dhe auditimin klinik në datat 12 dhe 13 tetor. Nga ana ISHSH u konstatua se subjekti nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e akivitetit sherbime mjekesore dhe/ose stomatologjike kategoria II. 6 A.3 kabinet dentar.
Nisur nga sa më sipër ndaj subjektit Ina Xhaxho me vendim përfundimtar inspektimi nr. ISHSH- DQ-2023-000036 – 5 Date: 13/10/2023 u vendos masë administative për shkelje të pikës 1, neni 27, të Ligjit 10 107 DT. 30.03.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Subjekti Ina Xhaxho ka ankimuar vendimin përfundimtar te inspektimit pranë Komisionit të Ankimit, ISHSH Qendror. Komisioni i Ankimit, ISHSH Qendror ka rrëzuar kërkesën e subjektit Ina Xhaxho, me Vendim nr. 73 datë 11.12.2023 dhe ka lënë në fuqi vendimin përfundimtar të inspektimit ISHSH-DQ-2023- 000036-5 Datë: 13/10/2023.’- thuhet në përgjigjen kthyer Bledian Spahiut më datë 5 janar nga ISHSH.
Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho, janë në hetim për “Neglizhencë në trajtim mjekësor”, që konsiderohet kundërvajtje penale dhe si e tillë në fazën fillestare nuk hetohet me masë sigurie “arrest në burg”.