Janë lënë në burg, Edmond Haxhia dhe tre britanikët të cilët u arrestuar në Londër, lidhur me organizimin dhe vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin. Motivi kryesor i kësaj vrasje sipas policisë, zyrtarisht u tha se është bërë për gjakmarrje, mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj.
Ndërkohë mediat theksojnë se vrasja erdhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mbi 80,000 £ (paund) mes dy familjeve, por nuk shpjegohet se si kjo shumë parash është bërë konflikt mes dy familjeve.
Edmond Haxhia, 37 vjeç, Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mathin, 35 vjeç dhe vajza Harriet Bridgeman akuzohen se kanë organizuar, mbajtur në vëzhgim dhe më pas ekzekutuar 51-vjeçarin Nikulaj, ndërsa në kërkim vijojnë të mbeten vrasësi Ruben Saraiva dhe anglezi me 27 rekorde kriminale Harry Simson.
Prova kryesore e palës shqiptare, janë ato filmike, që tregojnë të gjitha lëvizjet e autorëve, që nga mbërritja në aeroportin e Rinasit, takimet për organizimin e atentatit, momentin e vrasjes, dhe deri në largimin e tyre nga Shqipëria. Rëndësi të veçantë kanë për hetuesit gjurmët biologjike të AND-së, të lënë nga autorët e dyshuar.