Lëvizja Bashkë, e cila përfaqësohet në garën për Bashkinë e Tiranës me Arlind Qorin në një postim në rrjetet sociale, denoncoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake pranë godinës së tyre për të hequr materialet propagandistike.
Sipas Lëvizjes Bashkë, e gjitha kjo bëhet për të trembur qytetarët, që të mos shkojnë të votojnë.
“Për rreth një orë punonjës të Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit kanë kërkuar që Lëvizja BASHKË të heqë materialet politike identifikuese nga selia, duke kërcënuar me heqjen me forcë të tyre”, shkruhet në reagim.
Sipas tyre, kjo tentativë është kryekëput e paligjshme.
Kjo, pasi Lëvizjes Bashkë i lejohet afishimi i materialeve zgjedhore në selinë e saj.
“Ndërkohë, Tirana është përplot me materiale propagandistike të partive të vjetra. Lëvizja Bashkë është e vendosur të mbrojë të drejtat që na jep ligji, si dhe të drejtën e çdo qytetari që të votojë i lirë dhe i qetë”, përmbyllet reagimi i kësaj force politike.