Gjykata e Posaçme, ka dënuar kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, me 6 muaj heqje lirie, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Ai ka përfituar uljen e 1/3 të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa në vendim GJKKO thotë se dënimi të konvertohet në 40 orë punë në interes të komunitetit.
Vendimi i gjykatës nuk e cënon postin e kryebashkiakut që mban aktualisht Qerimaj, ndërsa pas dy orësh në Gjykatën e Posaçme ai paralajmëroi se do të vazhdojë betejën gjyqësore pasi është i bindur për pafajësinë e tij.
“Meqenëse vendimi i dhënë sot nga gjykata pavarësisht se nuk sjell asnjë pasojë ligjore për ushtrimin e funksionit tim në shërbim të qytetarëve mallakastriotë në pozicionin e kreytarit të Bashkisë ashtu si dhe në karrierën time në të ardhmen duke qenë i bindur në pafajësinë time të plotë do vijoj betejën time në gjithë shkallët e sistemit të drejtësisë”, tha Qerimaj pasi doli nga GJKKO, duke theksuar se vendimi do të ankimohet.
Sipas SPAK, Ismailaj nuk ka shënuar në formularin e vitit 2019, në cilësinë e kandidatit për kreun e bashkisë se kishte një dënim fajësie në Greqi, për veprën penale të rrahjes dhënë në vitin 2000.
Ismailaj ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni që ndaj tij kishte pasur proces gjyqësor në Greqi për një ngjarje që është regjistruar në 1998. Hetimet për Qerim Ismailajn nisën pas denoncimeve të Partisë Demokratike.