Zbardhet padia në Kushtetues e 29 deputetëve të PD ku kërkohet shfuqizimi i bordit të caktimit të çmimit të karburanteve. Sipas padisë tashmë provohet se është fakt tashmë që prej muajsh qytetarët shqiptarë janë përballur me abuzimet me çmimet.
“Është fakt që Bordi i ngritur për të mbajtur në kontroll çmimin, u shndërrua shumë shpejt në Klubin e Oligarkëve, ku vetë oligarkët e naftës në përbërje të Bordit caktonin edhe çmimin. Është fakt që Bordi me veprimtarinë e tij po cenon konkurrencën në treg, që sjell ulje të çmimit, si dhe lirinë ekonomike, që mbron të drejtat e konsumatorëve. Me miratimin e këtyre dy ligjeve Qeveria në vend që të bënte atë që ka bërë çdo Qeveri në botë, të mbronte interesin e qytetarëve, të drejtat e konsumatorëve, në fakt zyrtarizoi Klubin e Oligarkëve dhe i dha liri të plotë që me marrëveshje me njëri tjetrin të caktojnë çmimin e naftës, gazit dhe benzinës.”, thuhet ndër të tjera në padi.
Reagimi i Enkelejd Alibeajt:
Shqiptarët tashmë e kanë të qartë se Bordi i ngritur për të mbajtur në kontroll çmimin e karburanteve është thjesht Klubi i Oligarkëve që në bashkëpunim me Edi Ramën, mbrojnë interesat e tyre në kurriz të shqiptarëve. Ligjet me të cilat funksionon ky Bord, bien ndesh me Kushtetutën, cënojnë lirinë ekonomike, cënojnë konkurrencën në treg, duke thelluar më shumë varfërinë tek qytetarët. Ngritja dhe funksionimi i këtij bordi është thjesht dhe qartë mënyra e re me të cilën Edi Rama dhe klientët e tij të pushtetit kanë zgjedhur të abuzojnë me interesat e shqiptarëve. Është në nderin e Gjykatës Kushtetuese të marrë në shqyrtim me seriozitet dhe sa më parë kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së. Një kërkesë që prek direkt interesin e qytetarëve dhe dëshmon qartë se do të vazhdojmë të jemi në krah të shqiptarëve jo me fjalë dhe propagandë, por me akte konkrete që mund dhe duhet të përmirësojnë jetën e tyre.