Çmimet e apartamenteve në Tiranë vetëm po shtrenjtohen. Nga vëzhgimi i “Monitor” në terren, çmimet në periferi janë mbi 1,000 euro për metër katror dhe afër qendrës, mbi 2,000 euro metër katror. Te banesat e zonave periferike çmimet janë rritur me 11-31%.
Afër qendrës, rritja shkon rreth 9% dhe brenda Unazës së Vogël të Tiranës, apartamentet shiten me çmime nga 2,100 deri në 2,300 euro për metër katror. Në vlera, luhatja e tyre varion nga 150 deri në 300 euro për metër katror krahasuar me vjet.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, shtrenjtimi u ndikua nga shtimi i detyrimeve të ndërtuesve për taksën e ndikimit në infrastrukturë, pas rritjes së çmimeve të referencës, kostove direkte për paga të punëtorëve dhe materialeve.
Blerja e shtëpisë është një nga investimet më afatgjatë që kryhet vetëm një herë. Në Tiranë, çmimet e pronave afër qendrës janë të papërballueshme për shumë familje shqiptare, të cilat po zgjedhin si alternativë kryesore për strehim periferinë dhe zonat jashtë Tiranës.
Por këtë vit është shtrenjtuar edhe periferia, duke kapur në befasi shumë blerës. Si ndërtuesit, edhe agjentët e tregut të pasurive të patundshme, pohuan se për arsye të leverdisë së çmimit dhe zhvillimit urbanistik, një ndër zonat me përqendrimin më të lartë të kërkesës është Paskuqani. Çmimet e shitjes janë nën 1,000 euro për metër katror.
“Në disa zona të caktuara të periferisë të Tiranës, si pasojë edhe e zhvillimeve urbane, kemi rritje të çmimeve, si në Kashar pranë QTU me çmime deri në 1,000 euro për metër katror, apo në Paskuqan, me çmime mesatare 950 euro për metër katror, që vjen si risi në Tiranë me një distancë shumë të shkurtër pranë Bulevardit të Ri.
Ndërsa në zona të tjera, çmimet e apartamenteve në Tiranë vazhdojnë të jenë të pandryshuara”, thotë Dritan Leka, nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM”.
Shtrenjtim të çmimeve ka pasur edhe në lagje të tjera periferike. Në rrugën e “Kokonozëve”, te dy kantieret e reja të ndërtimit, rresht njëri pas tjetrit, çmimet variojnë nga 1,300 deri në 1,500 euro për metër katror.
“85% e apartamenteve janë prenotuar për blerje”, pohoi një nga menaxherët e zyrës së shitjes. Ai tha se rritja është ndikuar nga kostoja e lartë për punime cilësore të brendshme dhe të fasadës së jashtme dhe pagat e larta për punëtorët.
Në një nga komplekset pothuajse të përfunduara në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit, administratori për shitjet pohoi se çmimet variojnë nga 1,450 deri në 1,500 euro për metër katror.
Nga ndërtuesit, të njëjtat nivele çmimesh ofroheshin edhe për dy objektet e reja, një në zonën e Xhamllikut dhe tjetri në Kinostudio. Vjet në zonat Kinostudio-Porcelan, çmimi maksimal i shitjes për objektet e reja arriti në 1,300 euro për metër katror./ Monitor