Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, u tentua të eliminohej përmes helmimit, ose të paktën kështu aludoi fillimisht avokati i tij, Idajet Beqiri.
Kujtojmë që Haxhia është i dënuar përjetë për vrasjen e Azem Hajdarit.
Beqiri solli në vëmendje se më 10 prill, në dhomën e izolimit të Burgut të Reçit, ku Haxhia mbahet si i paraburgosur, ka shkuar një “pako me ilaçe”.
Haxhia ka pyetur menjëherë punonjësit e burgut, lidhur me familjarët, të cilët i kishin sjellë këto ilaçe.
Nga ana e punonjësve, është pohuar se medikamentet dhe vitaminat, janë sjellë nga familjarë të Haxhisë.
“Meqenëse Izet Haxhia plotësimin e nevojave të tij për ilaçe, ushqime etj., i bënë vetëm përmes motrës së tij me banim në Tiranë, i ka telefonuar asaj. Motra e tij Ilmia, tepër e shqetësuar, e ka vënë në dijeni se nuk i ka sjellë asnjë lloj ‘ilaçi’ atij, dhe e ka porositur të vëllain që të mos i përdorte ato në asnjë rrethanë!”.
Kështu ka pohuar avokati Idajet Beqiri, duke saktësuar se më pas, i burgosuri ka kërkuar një takim urgjent me drejtuesin e burgut.
Më pas, një përfaqësues ka shkuar të takohet me Haxhinë dhe i ka shpjeguar se është bërë një “gabim”.
Kjo, pasi dërgesa nuk dihej cilit të burgosur i përkiste, sikurse nuk identifikohej as personi që i kishte futur këto “ilaçe” deri në dhomën e izolimit ku qëndron Izet Haxhia.
Drejtoria e Burgjeve reagoi menjëherë duke sqaruar se nuk kishte pasur asnjë tentativë për të helmuar Izet Haxhinë.
Institucioni vërejti se me datën 7 prill një të burgosuri tjetër me të njëjtin emër (Izet. A), i kanë ardhur ilaçe nga familja nëpërmjet postës dhe janë administruar në zyrën e informacionit për kontroll dhe miratim të mjekut, sipas procedurave përkatëse.
Infermieret e turnit, V.Gj dhe A.S kanë marrë ilaçet nga zyra e informacionit dhe janë nisur për t’ia dërguar personit të cilit i kishin ardhur (Izet. A) dhe gjatë kalimit nga sektori i observimit kanë parë emrin e Izet Haxhisë dhe e kanë pyetur nëse të kanë ardhur ilaçe nga familja.
I dënuari Haxhia është përgjigjur se nuk i kanë ardhur ilaçe dhe infermieret i kanë kërkuar falje duke e sqaruar se ilaçet ishin të të dënuarit Izet A.
“Sot datë 12.04.2023, gjatë daljes për në gjykatë i dënuari Izet Haxhia nisur nga keqkuptimi i datës 07.04.2023, i ka shprehur një oficeri të institucionit se mund të më helmojnë”.
Drejtoria sqaron se i dënuari Izet Haxhia, nuk është transferuar në asnjë Institucion të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tiranë, siç portalet shkruajnë, por është shoqëruar tranzit për të marrë pjesë në gjyq dhe do të kthehet përsëri në IEVP Reç Shkodër.
Historiku
Apeli i Gjykatës së Tiranës, më 31 tetor 2022, e shpalli fajtor Haxhinë, duke e dënuar me 21 vjet burg, për akuzën e “vrasjes me paramendim”.
Më 6 janar 2022, ishte Prokuroria e Tiranës, ajo e cila kërkoi dënimin me 25 vite burg për Haxhian.
Sipas këtij institucioni të drejtësisë, ai ka pasur rol kryesor në vrasjen e Hajdarit më 12 shtator 1998.
Prokuroria e ka rindërtuar skemën e krimit, ku vetëm pak metra larg selisë së Partisë Demokratike u qëllua për vdekje ish-deputeti i kësaj partie.
Në arsyetimin e saj, ajo ka shprehur bindjen se Haxhia është fajtor.
Haxhia po gjykohet për herë të dytë në Shqipëri, pasi fitoi të drejtën e rigjykimit dhe shpesh ka pretenduar se nuk ka pasur lidhje me atentatin, edhe pse u dënua si bashkëpunëtor.
Izet Haxhia fitoi azil politik në Turqi, por u ekstradua nga atje në momentin që u rihap edhe njëherë procesi gjyqësor.
Tashmë, ai ka dy vite që po përballet me seancat gjyqësore.
Ish-truproja i Berishës u arrestua në 2006-ën në Turqi, por për 12 vite me radhë gjykata atje kishte urdhëruar që ai të mos largohej jashtë vendit.
Do të ishte shkurti i vitit 2018, kur u dha lajmi se ai do të ekstradohej drejt Shqipërisë.
Haxhia ka kërkuar që të përballej me dëshmitarët, mes tyre ish-kryeministrin Sali Berisha, por Gjykata e Tiranës e ka rrëzuar këtë kërkesë.
Për ngjarjen janë dënuar edhe dy vëllezërit e Haxhisë, Ismet e Isamedin Haxhia.
Të dy e kanë shlyer dënimin e marrë.
Më 12 shtator, në Tiranë do të mbërrinte Fatmir Haklaj – i akuzuari kryesor për vdekjen e Azem Hajdarit.
Ai ishte i shoqëruar nga shefi i rendit, Jaho Mulosmani dhe Naim Çangu.
Gjatë ditës, Haklaj u takua me Izet Haxhinë – detaj që do t’i jepte shkas Prokurorisë ta dënonte atë për përfshirje në vrasje.
Nga ana tjetër, Hajdari ndodhej në Fier atë ditë ku po zhvillonte një miting.
Më pas, ai u ndal në Lushnjë dhe nga pasditja mbërriti në Tiranë.
Gjatë kohës që ishte në Fier dhe Lushnjë – pretendohet se – ai ka marrë disa telefonata që i kërkonin të kthehej në Tiranë.
Hajdari shkon në selinë blu dhe në orën 21:00 aty afrohet një mjet me pasagjerë, Fatmir Haklaj, Naim Çangu dhe Jaho Mulosmani.
Vetura kishte fenerët e policisë. Vetëm 10 minuta më pas, Hajdari del nga selia dhe i drejtohet mjetit.
Është aluduar se, para se të dilte, ai kishte folur në telefon me dikë që i kishte kërkuar të dilte.
Motra e Fatmirit, Zylfie Haklaj, ka dëshmuar se “Sali Berisha mund ta ketë nxjerrë në pritë Azemin”.
Berisha në atë ditë ka qenë i pranishëm në seli – por ende nuk dihet nëse ai ka pasur informacion për ardhjen e Haklajt.
Ky i fundit do të qëllohej pas një viti në një atentat në Tropojë.