Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në burg kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, pasi akuzohet nga drejtësia për shitblerje të votës gjatë periudhës zgjedhore.
Por, çfarë pritet të ndodhë tani me Belerin?
Ligji për qeverisjen vendore sqaron se procedura që pritet të ndiqet për marrjen e mandatit është e tillë:
- Brenda 20 ditësh nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile)
- Beleri nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë dhe pritet që gjykata ta shpallë të vlefshëm mandatin e tij
- Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak bën betimin dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie
- Nëse Beleri mbetet në burg brenda tre muajve të ardhshëm dhe nuk do të paraqitet për betimin, Këshilli Bashkiak mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit
Referuar kësaj të fundit, Partia Socialiste zotëron shumicën e mandateve në Këshillin Bashkiak të Himarës.
Mundësia tjetër që Beleri nuk mund të mandatohet është ajo e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.
Referuar nenit 115 të Kushtetutës, Qeveria mund të shkarkojë një kryebashkiak për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve:
- Për këtë, Këshillit të Ministrave do t’i duhej të merrte një vendim vetëm pasi Beleri të betohej dhe të bëhej kryebashkiak
- Precedentë të mëparshëm të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa, të fundit ishin Fatos Tushe i Lushnjës dhe Lefter Alla i Bulqizës
- Rasti i Belerit është i ngjashëm me atë të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, pasi të dy akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim