Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gramsh, ku 4 persona kanë humbur jetën pasi ishin futur për t’u larë në Lieqnin e Banjës.
Raportohet se viktimat janë babai (46 vjeç) bashkë me dy djemtë e mitur (19 vjeç dhe 14 vjeç), si edhe kushëriri i tyre (20 vjeç). Sipas deklarimeve të familjarëve, të katërt kanë hyrë në ujë dhe nuk kanë dalë më.
Polumbarët po punojnë për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni.
“Rreth orës 19:00, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gramsh ka marrë një telefonatë se 4 shtetas dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrëfikësit, ku ka rezultuar se:
Në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit, dyshohet se shtetasit rreth 46 vjeç, 19 vjeç, 14 vjeç , (babai me dy djemtë) dhe kushëriri i tyre shtetasi , 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve janë futur në liqen për tu larë dhe nuk kanë dalë më.
Gjiihashtu menjëherë në drejtim të liqenit janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni.
Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit.
Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.