Seanca e sotme ishte parashikuar të ishte maratonë me debat, ku Rama do t’u përgjigjej pyetjeve të opozitës, por ai mbajti fjalimin e tij dhe u largua.
Rama përpara Kuvendit është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me akuzat e opozitës dhe se fakti qe ai është përmendur në aktakuzën e SHBA-së nuk do të thotë që ai është i implikuar në asnjë çështje e aq më pak atë të McGonigal. Pasi ai ka përmendur të gjitha herët kur është përmendur në aktakuzë ka ironizuar opozitën duke u thënë se kjo është hera e fundit që ata kanë shansin që të përballen me të pasi ai do të vijojë i pashqetësuar punën e tij si kryeministër.
“Asgjë e hatashme, asgjë e qortueshme, as ka ndodhur dhe as nuk shkruhet në aktakuzë. Aktakuza nuk thotë asgjë, zero. As për mua, as për shtetin shqiptar. Këtu tani rrugët ndahen më shumë se qartë unë në punët e mia si kryeministër, ju në punët tuaj si revolucionar në dëm të Shqipërisë”, tha Rama.
Sapo ka mbaruar fjalën ai është larguar nga Kuvendi, duke nënvizuar edhe një herë se kjo ishte hera e fundit që ‘merrej më opozitën’, teksa i ftoi të takohemi më 14 maj’.