Hakerët, të cilët fshihen prapa grupimit “Homeland Justice”, kanë publikuar në kanalin e tyre “Telegram” identitetin e 600 punonjësve të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH).
Pa zbuluar asnjë mesazh të kriptuar, kësaj radhe grupimi ka zbuluar të dhënat e punonjësve të inteligjencës shqiptare duke përfshirë: emrat, email-et dhe numrat e telefonit.
Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendo, ra “pre” e publikimeve nga grupimi i hakerëve më 19 tetor.
Përmes faqes së tyre, haker-ët publikuan një skedar të Bendos, me gjeneralitetet e tij dhe me të dhënat nga sistemi TIMS, ku shfaqen hyrje-daljet jashtë dhe brenda vendit, në një periudhë kohore prej 17 vitesh – nga viti 2005 deri në vitin 2022.
Më parë, “Homeland Justice” ka publikuar edhe dokumente, të cilat lidheshin me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.