Po pastronte armën dhe qëlloi aksidentalisht gruan, ndërron jetë 54-vjeçarja në Mirditë. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Jezull. Gazetari Elidon Ndreka raporton për BalkanWeb se Paulin Pacuku akuzohet se ka qëlluar me armë aksidentalisht Vitore Pacukun.
NJOFTIMI I POLICISE
Spitali Rajonal Rrëshen ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Mirditë, se ishte dërguar nga të afërmit e saj, për ndihmë mjekësore, shtetasja V. P., e plagosur me armë zjarri, e cila si pasojë e dëmtimeve kishte humbur jetën.
Nga verifikimet paraprake të kryera nga shërbimet e Policisë, dyshohet se në fshatin Jezull, Mirditë, në banesë, shtetasi P. P., 61 vjeç, duke pastruar një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar aksidentalisht bashkëshorten e tij, shtetasen V. P., 54 vjeçe, e cila është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, nga të afërmit e saj, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.
Shtetasi P. P. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mirditë, për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa arma e zjarrit pistoletë është sekuestruar në cilësinë e proves materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon punën në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.