Bullgaria anuloi 12 të ashtuquajturat “pasaporta të arta” dhe procedura për pesë të tjera është në vazhdim.
Kështu deklaroi ministri i Drejtësisë Krum Zarkov pas një takimi të mbyllur të grupit monitorues të Parlamentit Evropian për çështjet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore në Bruksel, shkruan ‘Euractiv’.
Ministri shpjegoi se Bullgaria ka lëshuar pak më shumë se 120 pasaporta të tilla në këmbim të investimeve.
Skema e diskutueshme u ndërpre kohët e fundit për shkak të kritikave nga Komisioni Evropian dhe disa parregullsive të gjetura në dhënien e shtetësisë për investitorët e pasur nga vendet e treta.
Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare (SANS) aktualisht po kontrollon secilën prej pasaportave të lëshuara, por nuk është dhënë asnjë informacion se kujt i është hequr pasaporta dhe pse.
Në verën e vitit 2021, Yanaki Stoylov, ushtrues detyre i Ministrit të Drejtësisë, transferoi një numër çështjesh të “pasaportës së artë” në SANS.
Në fillim të këtij viti, Nadiya Yordanova, pasardhësja e tij në qeverinë e Kirill Petkovit, shpjegoi se SANS gjeti pesë raste të shkeljeve të rënda në marrjen e nënshtetësisë bullgare dhe hetimi është në vazhdim.
Kujtojmë se që nga muaji shkurt, Portugalia ka marrë 10 kërkesa për “viza të arta” nga rusët dhe i ka refuzuar të gjitha.
Shitja e shtetësisë qytetarëve jo të BE-së u lejon investitorëve të tillë të bëhen qytetarë të BE-së, duke fituar lirinë e lëvizjes dhe aksesin në sistemet financiare të bllokut.