Qeveria britanike nuk ka më ndërmend të heqë të gjitha ligjet evropiane deri në fund të vitit, një “flamur i kuq” për mbështetësit e flaktë të Brexit, që shkaktoi shqetësim tek biznesmenët dhe opozita se do të ketë pasiguri ligjore dhe kaos burokratik, transmeton Hina.
Qeveria ka njoftuar një amendament në planin e aktiviteteve legjislative, sipas të cilit deri në fund të vitit 2023 do të tërhiqen rreth 600 nga gjithsej 4000 ligjet evropiane që janë ende në fuqi që nga largimi i Britanisë nga Bashkimi në vitin 2020.
Britania miratoi më parë një ligj që urdhëronte që të gjitha ligjet evropiane të tërhiqen deri në fund të këtij viti, me përjashtim të atyre që thuhet qartë se do të mbeten.
Zëdhënësi i kryeministrit Rishi Sunak tha në janar se afati nuk do të shtyhet.
“Qeveria ka ndryshuar planin sot… qëllimi është që njerëzit e biznesit të mos jenë në pasiguri”, tha ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë Kemi Badenoch në një letër drejtuar Parlamentit.
Deri më tani janë tërhequr 1000 ligje evropiane dhe janë planifikuar 500 të tjera.
Por Jacob Rees-Mogg, një përkrahës i vendosur i Brexitit, është i zhgënjyer nga vendimi.
“Kryeministri më mirë do të thyente premtimin e tij sesa të heq ligjet evropiane”, shkroi ai në Twitter.
Politikanët e opozitës kanë paralajmëruar prej kohësh se tërheqja e ligjeve evropiane do të rëndojë shumë administratën shtetërore, do t’u mundësojë ministrave t’i zëvendësojnë ato me rregullore të reja sipas dëshirës dhe do të dobësojë mbrojtjen rregullatore.
Pothuajse gjysma e biznesmenëve britanikë do të preferonin të mbanin ligjet e epokës së BE-së sesa t’i shihnin ato të anuluara nga qeveria, sipas një sondazhi të publikuar këtë muaj.