Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në lagjen “Partizani” të Vlorës. Mësohet se një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy punonjësve të policisë, të cilët po udhëtonin me një makinë private.
Mësohet se brenda mjetit po udhëtonin shtetasit Anxhelo Breshani, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Narko Mehmetaj, me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë.
Ndaj tyre është qëlluar nga një automjet tjetër në lëvizje. Burime bëjnë me punonjësit e policisë ktheheshin nga palestra, sipas të dhënave paraprake nuk njihen me personat që i kanë qëlluar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një situate të krijuar rishtaz pas një parakalimi.
Sipas informacioneve paraprake raportohet se dy efektivët e policisë nuk kanë pësuar dëmtime, ndërkohë që policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:40, në lagjen “Partizani”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se nga një automjet tip “Volkswagen”, një shtetas ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin shtetasit A. B., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe N. M., me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Në momentin e ngjarjes, punonjësit e Policë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.