Zbutja e krizës së energjisë u duk sikur do të zbehte apo ngadalësonte rritjen e investimeve në burime të rinovueshme por kjo nuk ka ndodhur. Pavarësisht maturimit të tregut vendas, fundi i vitit 2023 dhe fillimi i vitit 2024 po shfaq një dinamikë të re në projekte që parashikojnë kapacitete të konsiderueshme instalimi në impiante fotovoltaikë.
Tregues i kësaj janë ankandi hibrid për një kapacitet 300 MW që njoftoi qeveria në fillim të 2024, disa aplikime në Komitetin e Investimeve Strategjike për të përfituar status të veçantë, 10 aplikime të reja në MIE vetëm në dy muajt e parë të 2024 që synojnë shitjen e energjisë në treg të lirë.
Interesi i qëndrueshëm, sipas aktorëve të tregut, lidhet me faktin se një pjesë e projekteve janë ide që lindën në kohën e kulmit të krizës së energjisë, në vitin 2022 dhe që për hir të hallkave procedurale, morën kohë për finalizim e po shfaqen me aplikime tani.
Një tjetër arsye është tranzicioni i gjelbër, një objektiv global që nxit burimet e rinovueshme dhe ku Shqipëria mund të ketë pjesën e saj të përfitimit, duke u dhënë përparësi investimeve të kësaj natyre. Të paktën kështu e sheh situatën Anduel Çekrezi, përfaqësues i kompanisë “EuroElektra sh.p.k”.
“Mund të themi se çmimet në bursa kanë pasur një lloj stabilizimi, pra nuk janë në nivelet e kulmit të krizës, por kërkesa për energji nga burimet e rinovueshme mbetet e lartë dhe e qëndrueshme. Kjo do të vazhdojë edhe si efekt i atij që njihet si tranzicion i gjelbër. Në këtë kontekst, kërkesa për energji të pastër nga burime të rinovueshme do të vijojë të mbetet konstante”, – nënvizon z.Çekrezi.
Vetëprodhimi ende me interes, bizneset duan të eliminojnë presionin e çmimit
Çdo biznes mund të instalojë për nevoja të konsumit të tij impiante fotovoltaikë, me kapacitet deri në 500 kWp. Hartimi i një udhëzimi që zgjidhi ngërçin për vetëprodhuesit në vitin 2019 dhe amendimi që iu bë në vitin 2023, i dha një shtysë edhe më të madhe këtij grupi.
Kategoria që e pa këtë alternativë si më të përshtatshmen është ajo në tregun e lirë, së cilës i duhet të marrë energjinë nga furnizuesit privatë. Të parët që ngritën siparin në këtë aspekt ishin bizneset e lidhura në tension 35 kilovolt, që u përballën me çmimet e tregut.
Fillimi i krizës në vitin 2021 dhe kulmimi i saj në vitin 2022 orientoi të gjithë bizneset, përfshirë ata të lidhur në 20 kilovolt (të nxjerrë në tregun e lirë këtë janar) tek investimet për vetëprodhim. Tendenca ende vijon të mbetet e lartë.
“Bizneset nuk duan që të përballen përsëri me të njëjtën situatë, si dy vite më parë, kur u gjendën tërësisht të papërgatitur nga rritja e menjëhershme e çmimeve të energjisë. Një situatë e tillë mund të shkaktonte pezullimin apo ndërprerjen e operimit të tyre, për shkak të rritjes së kostove të energjisë.
Për të shmangur këtë, të gjitha bizneset janë duke investuar në një formë alternative për përfitimin e energjisë elektrike, pra në impiante fotovoltaike”, – shprehet Kostandin Duka, Menaxher i Përgjithshëm i “VEGA Solar”.
Trendi i investimeve në grupin e vetëprodhuesve, edhe pse mbetet pozitiv, duket se kufizohet disi nga të tjera zhvillime në treg. Rritja e normave të interesit të kredive, si efekt i transmetimit të politikave monetare që kanë marrë bankat qendrore, ka dhënë një lloj ngadalësimi.
“Çmimet e energjisë sot janë disi më të relaksuara, duke ulur disi presionin mbi bizneset për përballueshmërinë dhe kostot e energjisë. Një tjetër element shumë i rëndësishëm, që mendoj se ka ndikuar te trendi i investimeve në vetëprodhim, është rritja e kostove të financimit nga bankat”, – nënvizon z. Çekrezi.
Ligji i ri ende s’ka të plota aktet nënligjore, bilanci po funksionon vjetor
Vitin e shkuar, qeveria miratoi një ligj të ri për burimet e rinovueshme, që solli një sërë të rejash në lidhje me funksionimin e tregut, duke krijuar hallka të reja menaxhimi, si dhe nxitje të investimeve. Por aktualisht, ligji mbetet i pazbatueshëm, pasi ka nevojë për aktet nënligjore që nuk janë miratuar plotësisht.
“Ligji ka risitë e tij, që synohet të sjellin ndikime pozitive por për momentin është i pazbatueshëm, pasi ende nuk kanë dalë aktet nënligjore që të plotësojnë këtë zbatueshmëri.
Ankandet vazhdojnë sipas vendimit të vitit 2018. E reja e vetme në këtë aspekt është draft-metodologjia që Enti Rregullator i Energjisë publikoi për konsultim pak ditë më parë mbi përcaktimin e detyrimit për energjinë e rinovueshme për t’u paguar nga konsumatorët fundorë të energjisë elektrike. Në thelb, kjo synon që të krijojë një fond që do të paguhet nga konsumatorët fundorë në faturat e energjisë”, – nënvizon z.Çekrezi.
Sipas tij, sa u takon vetëprodhuesve, ende s’kemi kaluar në formën që parashikon ligji për një çmim mbi tepricat, por të paktën bizneset po marrin përfitim pozitiv, pasi udhëzimi i rishikuar u lejon atyre bilanc vjetor.
Në të njëjtën linjë është edhe z.Duka, i cili thekson se ky bilanc ka dhënë ndikime pozitive.
“Kalimi i energjisë së tepërt të hedhur në rrjet nga muaji në muaj, deri në fund të vitit, do të eliminojë rreth 90% të faturave të energjisë së klientëve tanë. Të vetmit muaj të cilët mund të jenë problematikë janë tre muajt e parë të vitit, kur edhe prodhimi i impianteve është më i ulët krahasuar me muajt e tjerë.
Ndërkohë që muajt e fundit të vitit do të mbulohen nga prodhimi i tepërt, që do të jetë gjatë muajve të verës. Gjithsesi, për çdo sistem, efektet do të jenë të ndryshme, në bazë të konsumit të tij dhe prodhimit që do të vijë nga impianti fotovoltaik.
Në mënyrë që ligji të marrë efekte të plota, është e nevojshme të përcaktohet se çfarë do të ndodhë me energjinë e tepërt në fund të vitit. Ka disa mundësi si p.sh., do të njihet për vitin tjetër apo do të kthehet në vlerë monetare, sipas një çmimi të përcaktuar nga ERE, por nuk ka një udhëzim të qartë për këtë pjesë”, – pohon ai./ Monitor