Teknologjitë dixhitale po ndryshojnë mënyrën se si njerëzit punojnë dhe jetojnë dhe gjithashtu se si bizneset kryejnë aktivitetet ose modelet e tyre të biznesit, por kjo sjell sfida shtesë për jetën tonë private dhe sigurinë në biznese.
Bizneset, për shembull, mund të zbatojnë një sërë masash, praktikash dhe procedurash të sigurisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Kominikimit (TIK) për të parandaluar incidentet dhe për të siguruar integritetin, disponueshmërinë dhe konfidencialitetin e të dhënave të tyre dhe sistemeve të TIK-ut.
Ndryshe nga shumë shtete të Europës, bizneset në Shqipëri nuk i kanë kushtuar rëndësi masave ndaj sigurisë së teknologjisë së informacionit. Sipas Eurostat, në vitin 2022 vetëm 64.7% e bizneseve me më shumë se 10 punonjës (pa përfshirë ato financiare) kanë përdorur të paktën 1 masë sigurie TIK për të mbrojtur sistemet dhe të dhënat e tyre TIK, përkundrejt 91.8% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Shqipëria renditej e treta nga fundi në Europë, pas fqinjëve Maqedoni e Veriut (61.6) dhe Mali i ZI (62.4).
Niveli i ulët i masave të sigurisë i bën bizneset e rajonit të brishta ndaj sulmeve teknologjike, duke rrezikuara pasoja të rënda për mbarëvajtjen e aktivitetit të tyre të përditshëm.
Një raport i mëparshëm nga Pricewater -house -Coopers (PwC) një markë ndërkombëtare shërbimesh profesionale në lidhje me sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor gjeti se në Shqipëri raportohen 600-700 incidente kibernetike në vit, si në sektorin shtetëror dhe atë privat, por emigrimi i lartë i të rinjve dhe mungesa e burimeve njerëzore të afta e kanë lënë vendin pa një mbrojtje të mjaftueshme.
Sulmet kibernetike të orientuara nga biznesi, shënjestrimi i kompanive dhe përdoruesve fundorë janë rritur pas pandemisë në Shqipëri. Nga ana tjetër, sulmet janë sofistikuar. Tani grupet e sulmit nuk janë amatorë, por të organizuar.
Raporti thotë se, procesi i digjitalizimit në Shqipëri shihet si një nga rreziqet më të mëdha të mundshme të sigurisë kibernetike në të ardhmen. Palët e intervistuara në Shqipëri pohuan objektivat e sulmeve janë të shumtë dhe kryesisht të bazuar në identitetet (d.m.th. të fokusuar mbi të dhënat personale).
Europa
Sipas Eurostat, në vitin 2022, 92% e bizneseve të BE-së përdorën të paktën 1 masë sigurie TIK për të mbrojtur sistemet dhe të dhënat e tyre TIK dhe vetëm 36% përdorën 7 masa sigurie.
Shumica e kompanive në BE preferuan të përdorin vërtetimin e fortë të fjalëkalimit (82% e bizneseve të BE-së), rezervimin e të dhënave në një vendndodhje të veçantë ose ‘computer cloud’ (78%) dhe kontrollin e aksesit në rrjet (65%)./ Monitor