Presidenti amerikan Joe Biden tha të mërkurën se mundësia për t’i siguruar Ukrainës automjete luftarake Bradley po shqyrtohet për të ndihmuar ukrainasit të luftojnë pushtimin rus.
Këtë e raporton Reuters.
“Po”, tha Biden kur u pyet nëse një mundësi e tillë ishte në shqyrtim.
Javën e kaluar, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Bloomberg në kushte anonimiteti se SHBA është në kontakt të vazhdueshëm me Ukrainën për sigurinë që i nevojitet dhe po shqyrton transferimin e mjetit luftarak Bradley.
Ai shtoi se automjetet luftarake do të ndihmojnë ushtrinë ukrainase për të “rritur aftësitë luftarake tokësore”, dhe Shtetet e Bashkuara kanë një numër të madh të këtyre pajisjeve.
M2 Bradley është mjeti kryesor luftarak i këmbësorisë në shërbim me forcat e mekanizuara të Ushtrisë Amerikane që nga vitet 1980.
Ndryshe nga M113-të e mëparshëm, Bradley është i armatosur me një top të fuqishëm 25 mm dhe sisteme antitank TOW.
Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara së shpejti do të shpallin një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën për të zmbrapsur një pushtim në shkallë të plotë nga forcat ruse.
Ndihma totale ushtarake amerikane për Ukrainën ka arritur në 21.9 miliardë dollarë që nga fillimi i administratës së Biden.