Presidenti Joe Biden tha me shaka se e ka të vështirë të pranojë se po i afrohet të 80-ve, por shtoi se është i aftë si fizikisht ashtu edhe mendërisht për të shërbyer për një mandat të dytë të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Biden, i cili mbush 80 vjeç më 20 nëntor, tha se është një shqetësim krejtësisht i ligjshëm ai që votuesit të pyesin nëse dikush në moshën e tij mund të përballojë punën me stres të lartë si president i vendit. Zoti Biden e bëri komentin gjatë një interviste për televizionin MSNBC që u transmetua të dielën, gjatë së cilës u pyet në lidhje me moshën e tij.
Ai tha se njerëzit duhet të gjykojnë vetë nëse ai është në lartësinë e detyrës. Komentet vijnë ndërsa sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e votuesve nuk do të donin të shihnin sërish një garë mes tij dhe republikanit Donald Trump, ndaj të cilit zoti Biden fitoi më 2020-n. Në rast fitoreje, zoti Biden do të ishte 82 vjeç në ditën e inaugurimit në janar 2025 ndërsa zoti Trump 78 vjeç.