Në përvjetorin e parë të të shtënave masive në një shkollë në Uvalde, Teksas, presidenti amerikan Joe Biden rinovoi thirrjen e tij për ndalimin e shitjes së armëve automatike.
Në përkujtimin në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se kjo është një “ditë e vështirë” për familjet, ndërsa u ndezën 21 qirinj të bardhë në kujtim të 19 fëmijëve dhe dy mësuesve që u vranë nga një 18-vjeçar në një shkollë fillore.
Presidenti amerikan ka bërë thirrje përsëri për miratimin e “ligjeve të arsyeshme të armëve të zjarrit”, kryesisht një ndalim të armës popullore gjysmë-automatike AR-15.
“Shumë vende të jetës së përditshme janë bërë vende krimi në Amerikë”, paralajmëroi presidenti amerikan, duke vënë në dukje se armët e zjarrit janë tani shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në SHBA.
Kudo dëgjojmë të njëjtën gjë: “Bëj diçka, për hir të Zotit, bëj diçka!” tha ai.
Megjithatë, thirrja e tij ka pak shanse për të sjellë ndryshime konkrete.
Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, kundërshtojnë çdo shtrëngim të ligjeve për armët.