Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Marjana Semini është betuar këtë të hënë para presidentit Bajram Begaj.
Presidenca njoftoi se pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit përkatës të emërimit të saj, “gjyqtarja Marjana Semini me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë u betua para Presidentit të Republikës se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnike Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Presidenti Begaj i uroi suksese Seminit në detyrën e re të anëtares së Gjykatës Kushtetuese.
Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Klotilda Ferhati Bushka, përfaqësues të Delegacionit të BE-së si dhe OPDAT si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.
Kujtojmë se ajo u zgjodh gjatë seancës maratonë plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Kandidatja mori votat e shumicës, 58 të tilla, ndjekur nga Ardian Dvorani me 14 vota, ndërsa Arta Vorpsi regjistroi vetëm dy vota.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka argumentoi se sipas Kushtetutës, në momentin kur asnjë nga kandidatët nuk ka 84 votat e mjaftueshme, kandidatja e renditur e para në KED, Marjana Semini merr mandatin në Kushtetuese.
Karriera
Semini është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1988.
Në periudhën 1988-1997 ajo ka punuar si pedagoge e lëndës “E Drejta e Detyrimeve dhe Kontratave” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.
Semini është pedagoge në Shkollën e Magjistraturës që nga themelimi i kësaj shkolle në vitin 1997.
Për vite me radhë, ajo ka qenë Drejtore e Shkollës së Magjistraturës (2009 -2013) dhe Shefe e Departamentit të Formimit Fillestar (2006 -2009).
Semini i ka dhënë mësim gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në lëndët “E drejtë civile” dhe “Pronësi Intelektuale”.
Në vitin 1993 ka marrë gradën “ Kandidat i Shkencave në Drejtësi”, në vitin 1999 gradën shkencore “Doktor në Drejtësi” dhe në 2009 ka marrë gradën shkencore “Profesor”.
Ajo ka ndjekur kurse të ndryshme ndërkombëtare të tilla si “Shitja e të mirave”, në Programin Fullbright në SHBA, në Fakultetin Juridik në Virxhinia (1994), “ E drejtë civile e krahasuar” në Universitetin e Trentos në Itali (1995), Pronësia Intelektuale” në Toronto, Kanada etj.
Sipas jetëshkrimit të saj, Semini është eksperte në hartimin e disa ligjeve të rëndësishme në fushën e së Drejtës Civile në Shqipëri.
Ajo është autore dhe bashkëautore e disa teksteve, librave shkencorë dhe monografive si : “E Drejta e Autorit në Shqipëri (2008), “Detyrimet dhe kontratat (2003,1997), “Kontrata e shitjes në tregun e ekonomisë (1995), “Pronësia Intelektuale” (2005), “Komentar i të Drejtës Tregtare” (2004) etj si dhe është autore e disa artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit.