Në makinën e kryetarit të PD-së në Vaun e Dejës sipas ekspertëve ishte vendosur 50 gramë eksploziv. Lënda plasëse ishte montuar në gomën e përparme të automjetit ndërsa sipas policisë shpërthimi kishte si qëllim eliminimin e Bernnard Ndrecës dhe jo kërcënimin e tij duke marrë parasysh që eksplozivi u aktivizua në momentin që Ndreca lëvizi makinën.
Blutë e Shkodrës kanë shoqëruar disa persona në komisariat për ti marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Mësohet se ata janë kryesisht familjarë dhe fqinj të shënjestrës së atentatit të cilët janë pyetur për ndonjë konflikt të mundshëm të Bernard Ndrecës. Por nga hetimet e deritanishme rezulton se ai nuk ka konflikte dhe hetuesit nuk e lidhin shpërthimin as me punën e tij si ekonomist.
Vetë Ndreca pas ngjarjes deklaroi se shpërthimi ka ndodhur për shkak të detyrës së tij si kryetar i Partisë Demokratike në Vaun e Dejës. Nga kamerat e sigurisë policia ka edhe dy personat që vendosën lëndën plasëse. Nuk konfirmohet nëse ata janë identifikuar pasi ishin edhe të maskuar. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që dy personat që duken në video të jenë porositur nga dikush tjetër për të montuar eksplozivin. Nga shpërthimi fatmirësisht Bernard Ndreca nuk mori lëndime dhe po ashtu as nëna e tij e cila doli për ta përcjellë të birin në oborrin e banesës.