Ish kryeministri Sali Berisha ka njoftuar Policinë për protestën e 11 shkurtit që do të mbajë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në njoftimin e bërë, protesta pritet të nisë në orën 12:00, e ndërsa sipas parashikimeve të demokratëve në bulevard do të jenë rreth 100 mijë persona.
“Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë. Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00.
Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin për protestën bëhet me dije gjithashtu se foltorja do të vendoset në bulevard përballë kryeministrisë dhe personat që do të flasin do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile. Berisha ka thënë se me këtë protestë synohet që të rrëzohet regjimi i Edi Ramës.